
Shqipëria ka hyrë në një fazë të re të procesit të anëtarësimit në Bashkimin Europian, tha Taulant Balla në mbledhjen e Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit BE-Shqipëri në Strasburg.
Balla, kryetar i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste dhe bashkëkryetar i KPSA-së, tha se progresi i muajve të fundit tregon njohjen e reformave të kryera nga Shqipëria.
Sipas tij, vendi po pret përmbylljen e tre kapitujve të negociatave dhe vijimin e punimeve në Konferencën e radhës Ndërqeveritare.
Balla tha se ky proces nuk është vetëm teknik, por lidhet me përparimin në shtetin e së drejtës, institucionet demokratike, administratën publike, të drejtat themelore, sigurinë dhe zhvillimin e qëndrueshëm.
Ai foli edhe për luftën kundër dezinformimit, duke thënë se debati publik duhet të mbështetet në fakte dhe informacion të verifikuar.
Balla tha se reformat kanë kërkuar vullnet politik dhe përpjekje të vazhdueshme nga institucionet shqiptare.
Ai falënderoi institucionet e Bashkimit Europian, shtetet anëtare dhe partnerët europianë për mbështetjen ndaj Shqipërisë.
Sipas Ballës, rezoluta e fundit e Parlamentit Europian për Shqipërinë është sinjal se progresi i vendit njihet dhe se perspektiva europiane mbetet reale.