
Ministria e Arsimit lejon përdorimin e inteligjencës artificiale nga mësuesit dhe nxënësit, por ndalon kopjimin e drejtpërdrejtë dhe kërkon mbrojtjen e të dhënave personale.
Mësuesit dhe nxënësit do të mund të përdorin ChatGPT dhe mjete të tjera të inteligjencës artificiale në shkollat parauniversitare, sipas një udhëzuesi të ri të Ministrisë së Arsimit.
Mësuesit mund ta përdorin inteligjencën artificiale për të përgatitur ushtrime, pyetje, teste dhe materiale mësimore, si edhe për të ndihmuar në vlerësimin e nxënësve. Ajo mund të përdoret gjithashtu për përkthime, korrigjime gjuhësore dhe përgatitjen e detyrave me nivele të ndryshme vështirësie.
Edhe nxënësit mund ta përdorin për kërkime, projekte dhe për të përmirësuar punimet e tyre. Kopjimi i drejtpërdrejtë i përgjigjeve të krijuara nga inteligjenca artificiale konsiderohet shkelje e integritetit akademik.
Udhëzuesi kërkon që në platformat e inteligjencës artificiale të mos futen emra, fotografi, emri i shkollës apo të dhëna të tjera që mund të identifikojnë nxënësit. Vendimin përfundimtar për vlerësimin e tyre e merr mësuesi.