
Shkollat hapin sot dyert për vitin 2026–2027, me tekste të reja në fillore, program pas mësimit dhe përdorim të lejuar të inteligjencës artificiale.
Viti i ri shkollor 2026–2027 nis sot në të gjithë vendin, ndërsa rreth 25 mijë fëmijë ulen për herë të parë në bankat e shkollës.
Në ditën e parë hapen edhe 42 shkolla dhe terrene sportive të reja. Tetë prej shkollave janë ndërtuar në Tiranë.
Nxënësit nga klasa e parë deri në të pestën do të marrin këtë vit tekste të reja dhe falas. Në 408 shkolla nis gjithashtu programi “Pas shkolle”, ku fëmijët mund të qëndrojnë deri në orën 14:00 ose 15:00 për detyrat, muzikë, teatër, kërcim dhe aktivitete të tjera.
Një tjetër ndryshim është përdorimi i inteligjencës artificiale në mësim. Mësuesit dhe nxënësit mund të përdorin mjete si ChatGPT dhe Gemini sipas udhëzuesit të ri të Ministrisë së Arsimit.
Në Tiranë dhe Kamëz, 20 shkolla janë pajisur edhe me kamera inteligjente në kuadër të projektit “Smart City”.