
Kryeministri reagoi sërish ndaj kërkesave për pagat e magjistratëve, duke kundërshtuar mënyrën si gjyqtarët e lidhin pavarësinë e tyre me buxhetin.
Kryeministri Edi Rama ka vijuar përplasjen me gjyqtarët për pagat, duke kundërshtuar publikisht pretendimin se sistemi gjyqësor ka një buxhet të vetin nga i cili mund të caktojë pagat.
Rama reagoi ndaj një deklarate të atribuar një gjyqtari, sipas së cilës magjistratët “kanë qesen e tyre të buxhetit” dhe nuk po marrin para nga institucionet e tjera.
Kryeministri e cilësoi këtë interpretim të pavarësisë së gjyqësorit si të papranueshëm dhe tha se buxheti mbetet pjesë e financave të shtetit.
Debati për pagat ka përplasur prej ditësh qeverinë me institucionet e drejtësisë, pasi KLGJ dhe KLP llogaritën pagat me një formulë të re, ndërsa qeveria kërkon që ndryshimi të kalojë më parë me ligj.