TIRANË, 29 tetor – Gjobat për shkeljet gjatë protestave mund të arrijnë deri në 500 mijë lekë, sipas ndryshimeve ligjore që hynë në fuqi të mërkurën.
Mosbindja ndaj urdhrit të policisë për shpërndarjen e një tubimi dënohet me gjobë deri në 200 mijë lekë. Kur personi është i maskuar, gjoba shkon nga 50 mijë deri në 500 mijë lekë.
Pjesëmarrja në tubime të ndaluara dhe fshehja e paligjshme e identitetit dënohen me 10 mijë deri në 100 mijë lekë.
Ligji i jep policisë të drejtën të kufizojë protestat pranë institucioneve për 72 orë, kur ka rrezik serioz dhe të afërt për dhunë. Kufizimi kërkon miratimin e prefektit.
Krijohet gjithashtu një regjistër elektronik për personat e referuar në prokurori ose nën hetim për dhunë gjatë protestave.
Policia Kufitare do të ketë qasje të kufizuar në këtë regjistër. Në rastet e parashikuara nga ligji, autoritetet mund të refuzojnë daljen jashtë vendit.
Masat u miratuan pas përplasjeve të dhunshme që shoqëruan protestat kundër qeverisë në Tiranë.