
Nga Zenel Çeliku

Problemet historike mes Republikës së Maqedonisë së Veriut (RMV) dhe Bullgarisë vazhdojnë të bllokojnë rrugën drejt Bashkimit Evropian. Nga Sofja zyrtare kërkohet ndryshimi i Kushtetutës së RMV për njohjen e pakicës bullgare, por qeveria konservatore e Hristijan Mickoskit refuzon ta bëjë këtë. Parlamenti Evropian pritet të votojë raportin për përparimin e vendit këtë javë dhe ka kërkuar avancim të reformave – përfshirë këtë ndryshim kushtetues.
RMV është në një moment përcaktues, por ngërçi mbetet i pazgjidhur dhe për pasojë ky vend mbetet mbrapa në integrimin evropian. Ngërçi i koalicionit dhe tensionet etnike në RMV, koalicioni qeverisës VLEN i përbërë nga VMRO-DPMNE dhe parti të tjera etnike, po përçahen para zgjedhjeve lokale në tetor 2025. ASH-ja doli nga koalicioni në qershor, duke dobësuar konsensusin brenda koalicionit mbi çështje të rëndësishme si buxheti dhe çështjet kushtetuese.
Nga ana tjetër, Mickoski përdor kërcënimin për zgjedhje të parakohshme si instrument presioni ndaj aleatëve të tij për të ruajtur qeverisjen stabile. Ndërsa BE kërkon nga RMV vazhdimin e reformave si sundimi i ligjit, luftën serioze në drejtim të korrupsionit dhe besimit publik. BE ka shqetësime për ndërhyrje politike në sistemin gjyqësor – kryeministri kërcënoi për protesta nëse pesë anëtarë të Këshillit Gjyqësor nuk japin dorëheqje, çka ngjalli reagime urgjente në Parlamentin Evropian për pavarësinë e drejtësisë.
BE thekson se pika kyçe janë korrupsioni dhe politizimi i drejtësisë, të cilët po minojnë legjitimitetin e reformave të ngarkuara nga BE. BE vëren se në RMV ka presione gjeopolitike të rrezikshme për integrimin e vendit. Ministri i Jashtëm i RMV – Mucunski, paralajmëroi për ndikim rus në rajon nëse BE-ja ngurron për zgjerim. Ai e kritikoi BE-në se nuk e përkrah RMV-në. Ndërkohë, RMV ka iniciuar një politikë të re drejt SHBA-së – do të hiqen tarifat mbi importet amerikane për të bindur Uashingtonin të përgjigjet me reciprocitet dhe të nxisë një marrëveshje tregtare.
Shkupi po balancon midis presioneve të BE-së dhe politikave ndërkombëtare për ndikim ekonomik e politik. Tendenca kryesore politike për RMV është çështja e integrimit në BE, por vendi është i bllokuar nga mosndryshimet kushtetuese dhe mungesa e konsensusit politik brenda politikës në RMV. Reformat janë bllokuar sepse koalicioni qeverisës është i brishtë aq sa rrezikon edhe zgjedhjet lokale në tetor 2025.
BE-ja është e shqetësuar se në RMV ka ndikim rus i cili po rritet me manovra të reja diplomatike, tregti, turizëm, këmbim delegacionesh – të cilat janë rrezik për destabilizim gjeostrategjik.
Në gjykimin tim, RMV sot ndodhet përballë sfidave serioze sepse aktualisht RMV lidhur me integrimin evropian ngelet e bllokuar nga Bullgaria. Koalicioni politik që po përçahet, reforma ndërinstitucionale të ngadalësuara dhe rreziqet nga aktorët e jashtëm janë pengesa kryesore të RMV-së.
Për të kapërcyer këtë fazë, do jetë e domosdoshme që RMV të kërkojë konsensus të brendshëm politik për të miratuar ndryshimet kushtetuese të kërkuara nga BE. Politika duhet të largohet nga gjyqësori duke e depolitizuar sistemin gjyqësor dhe përshpejtuar masat anti-korrupsion.
Ky vend duhet me patjetër të bëjë një politikë të kujdesshme gjeostrategjike për të shmangur presionet e Rusisë ose devijimet drejt partneriteteve të dyshimta. Në mungesë të një përparimi konkret, vendi rrezikon të bjerë prapa rajonit, sidomos pas Shqipërisë që po zhvillon shpejt procesin e negociimit për kapitujt e BE-së.