
Nga Zenel Çeliku

Zgjedhjet e 11 majit 2025 rikonfirmuan sërish PS-në si shumicë qeverisëse për të drejtuar vendin edhe për katër vitet në vijim. Opozita, si gjithnjë, këto zgjedhje i quajti farsë, që do të thotë se PS ka vjedhur zgjedhjet e 11 majit 2025. Kjo retorikë e PD-së dëgjohet prej 30 vitesh, ndaj nuk ka ndikim në opinionin publik dhe as në radhët e vetë PD-së, ku kërkohen përgjegjësitë për humbjen më të madhe në 33 vitet e demokracisë.
Tashmë Qeveria Rama 4 u dekretua nga Presidenti i Republikës, Bajram Begaj. Sërish elementë radikalë brenda opozitës (si deputeti i PD-së, Xhelal Kryeziu) përdorën retorikë ofenduese ndaj Kryeministrit Rama, por edhe ndaj Presidentit Begaj, i cili dekretoi shpejt qeverinë e re. Kryeministri Rama, duke mos dashur të dëgjojë këtë fjalor të papëlqyeshëm për publikun, ka shprehur prioritetet dhe objektivat kryesore të mandatit katërvjeçar nën qeverisjen e PS-së: integrimin në Bashkimin Evropian me synim përmbylljen e kapitujve negociues dhe plotësimin e kërkesave të BE-së; profesionalizmin dhe integritetin e kabinetit, ku përzgjedhja e ministrave bazohet në këto parime për të shmangur konfliktet me drejtësinë dhe për të garantuar stabilitet qeverisës; reformën ekonomike e sociale, përfshirë zhvillimin e bizneseve, luftën kundër informalitetit, rritjen e konkurrencës, reformat në arsim dhe kujdesin social; si dhe transparencën dhe luftën kundër krimit e korrupsionit, duke i dhënë rol të veçantë SPAK-ut dhe strukturave të reja të drejtësisë.
Pikat e forta të qeverisjes Rama konsiderohen stabiliteti politik dhe vazhdimësia në qeverisje për një Shqipëri evropiane, projektet zhvillimore dhe transformimi urban në qytete, si edhe reforma në drejtësi që ka dhënë rezultate konkrete. Mbi të gjitha theksohet qëllimi madhor: Shqipëria brenda vitit 2030, pjesë e barabartë e Bashkimit Evropian. Nga ana tjetër, opozita artikulon kritika për përqendrim të tepruar të pushtetit tek Rama dhe PS, për lidhje të dyshuara me oligarkinë ekonomike, për kufizim të lirisë së medias dhe presion ndaj mediave të pavarura, si edhe për keqpërdorim të fondeve publike dhe mungesë transparence.
Opinioni publik paraqitet i ndarë sipas bindjeve politike dhe pritshmërive ndaj rezultateve të kësaj qeverie. Sipas një sondazhi të fundit, 42.4% e qytetarëve kanë mendim negativ për punën e qeverisë, ndërsa 45.2% janë pozitivë. Në diasporë, perceptimi rezulton më optimist krahasuar me ata që jetojnë në Shqipëri. Pëlqyeshmëria për Edi Ramën, sipas sondazheve, luhatet rreth 50–53%. Sa i përket opozitës së drejtuar nga Sali Berisha, niveli i besueshmërisë është i ulët: rreth 64% e të pyeturve shprehen se nuk kanë besim tek ajo.
Prioritetet dhe objektivat e deklaruar nga Rama priten me ngarkesë emocionale nga qytetarët, të cilët presin përmirësim të mirëqenies sociale (rritje pagash e pensionesh) dhe ulje të tensioneve e kontradiktave në politikëbërjen shqiptare. Për shumicën e shqiptarëve, “Qeveria Rama 4” dhe PS si forcë politike shihen si një mundësi për të rritur standardin e jetesës, por kjo shoqërohet me skepticizëm. Emigrantët – diaspora shpesh shfaqen më optimistë se publiku brenda vendit dhe presin ditë më të mira nën këtë qeveri.
Si rrjedhim, Rama 4 është në një sprovë historike, jo vetëm për të realizuar prioritetet e saj, por mbi të gjitha për të afruar realizimin e ëndrrës së shqiptarëve: “E duam Shqipërinë si gjithë Evropa”. Le të shpresojmë se politika shqiptare do të jetë më e përgjegjshme, pa tensione të panevojshme (si në seancën e parë parlamentare), dhe se një pjesë e mirë e angazhimeve të Ramës do të realizohet, që shqiptarët, pas 32 vitesh me zhurmë, histori tragjike, krim dhe korrupsion galopant, më në fund të shohin dritë jeshile në fund të tunelit alla-shqiptar.