29.10.2026
Politike

Hyjnë në fuqi gjobat e reja për protestat, deri në 500 mijë lekë

Ndryshimet ligjore parashikojnë masa deri në 500 mijë lekë për shkelje gjatë protestave dhe lejojnë kufizime policore pranë institucioneve.

TIRANË, 29 tetor – Gjobat për shkeljet gjatë protestave mund të arrijnë deri në 500 mijë lekë, sipas ndryshimeve ligjore që hynë në fuqi të mërkurën.

Mosbindja ndaj urdhrit të policisë për shpërndarjen e një tubimi dënohet me gjobë deri në 200 mijë lekë. Kur personi është i maskuar, gjoba shkon nga 50 mijë deri në 500 mijë lekë.

Pjesëmarrja në tubime të ndaluara dhe fshehja e paligjshme e identitetit dënohen me 10 mijë deri në 100 mijë lekë.

Ligji i jep policisë të drejtën të kufizojë protestat pranë institucioneve për 72 orë, kur ka rrezik serioz dhe të afërt për dhunë. Kufizimi kërkon miratimin e prefektit.

Krijohet gjithashtu një regjistër elektronik për personat e referuar në prokurori ose nën hetim për dhunë gjatë protestave.

Policia Kufitare do të ketë qasje të kufizuar në këtë regjistër. Në rastet e parashikuara nga ligji, autoritetet mund të refuzojnë daljen jashtë vendit.

Masat u miratuan pas përplasjeve të dhunshme që shoqëruan protestat kundër qeverisë në Tiranë.

Rreth autorit

Redaksia TIR-FAX

Redaksia TIR-FAX

Administrator

Redaksia e agjencisë TIR-FAX. Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota.