PRISHTINË, 29 tetor – Një pacient 54-vjeçar nga Ferizaj ka mbetur prej dy muajsh pa ilaçin kundër kancerit të mëlçisë, megjithëse ai është pjesë e listës së barnave esenciale në Kosovë.
Pacienti i tha KOHËS se në Klinikën e Onkologjisë në Prishtinë i kanë kërkuar të kontrollojë vazhdimisht nëse ilaçi ka mbërritur.
Bëhet fjalë për Sorafenibin, barin që mjekët i kanë përshkruar për trajtim.
Sipas pacientit, gjendja e tij është përkeqësuar gjatë ndërprerjes së terapisë. Ai tha se sëmundja i është përhapur edhe në mushkëri dhe në eshtra.
Për shkak të mungesës së ilaçit, 54-vjeçari po shqyrton mundësinë të largohet në Francë për të kërkuar trajtim mjekësor.
Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës nuk dha përgjigje për arsyen e mungesës së barit dhe kohën kur pritet të sigurohet.
Mungesa e barnave për pacientët me kancer është denoncuar edhe më parë në Kosovë.